
Më keq se kaq, nuk mund të kishte për Makabi Haifën në Izrael. Një sezon që nuk ka nisur në mënyrën më të mirë, e vazhdon të mbetet i tillë.
Teksa u mendua se kriza do të lihej pas ndaj Shmonës së Valon Ahmedit, situata u bë akoma më dramatike. Takimi përfundoi me rezultatin 2-2, ndërsa goli i barazimit për Shmonën do të vinte në minutën e fundit të shtesës. Për të vazhduar më tej? Krosim ëndrrash nga Valon Ahmedi, ndërsa portieri e ka dërguar topin në rrjetë.
Një festim i çmendur dhe legjitim, pasi nuk ndodh shpeshherë që gardiani të shënojë. Valon Ahmedi ka dhënë një pasim fantastik edhe në golin e parë, duke vazhduar të tregojë një formë të mirë në Izrael. Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, Makabi Haifa e ka paraqitur si dramatike atë barazim të marrë.
“U lodhëm me këtë naivitet që tregojmë. Si munden ata të na shënojnë në atë minutë dhe të realizojë portieri? Nuk na vjen mirë, por nuk jemi skuadër për të fituar kampionatin. Të na vijë turp nga vetja”, ishin zërat që vinin nga lojtarët në dhoma e zhveshjes. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/