Marash Kumbulla është duke përjetuar një ëndërr të madhe në Itali, teksa me gjysmë sezoni ka një rritje të frikshme të vlerës së tij, por njëkohësisht edhe ka fituar interesimin e shumë klubeve të njohura.
Për ta nisur që nga Anglia, atje ku klube si Manchester City, United dhe Chelsea e kërkojnë për merkaton e verës. Në Gjermani ishte Bayerni dhe Dortmundi që hodhën vështrimin e tyre te mbrojtësi shqiptar, ndërsa në Itali, kërkohet nga të gjitha skuadrat pretendente për titullin kampion.
Kjo është situata reale e Kumbullës dhe aspak e ekzagjeruar, por që për t’u kompletuar, vjen edhe interesimi i një tjetër gjigandi europian. “Tuttohellasverona” shkruan se në bazë të informacioneve të saj, Barcelona ka shprehur dëshirën për të marrë shërbimet e Marashit. Katalanasit kërkojnë që të përforcojnë mbrojtjen duke marrë parasysh vitet që tashmë nuk flasin më për Pique dhe një formë të dobët të Umtitit. Në këto kushte, Barcelona e kërkon një qendërmbrojtës që të rritej menjëherë pranë Pique dhe Kumbulla është kandidati i mundshëm.