
Një kaos i vërtetë ishte deri para pak kohësh në Serinë A, sa i përket dy biletave që të japin mundësinë për të arritur në “Champions League”. Interi, Atalanta, Roma, Milan dhe Torino gjendeshin shumë afër njëra-tjetrës, duke dhuruar spektakël dhe llogaritje edhe në takimet e fundit.
Pas gabimit të Romës, ishte rradha që Torino të dilte nga gara. Pakkush mendonte se një surprizë mund të vinte nga këtej, por për të shuar çdo dyshim mendoi Empoli i Veselit. Mbrojtësi shqiptar është aktivizuar në pjesën e dytë në atë fitore me rezultatin 4-1 ndaj Torinos.
Një tre pikësh jetik për Empolin, që tashmë ka braktisur zonën e ftohtë të renditjes, kur ka edhe një ndeshje për t’u luajtur. Ndërkohë Berat Gjimshiti pritet nga minuta e parë edhe në “finalen” e sotme kundër Juventusit në kampionat. Për Atalantën do të ketë edhe një ndeshje në dizpozicion, ajo kundër Sasuolos. I vetmi kombinim që mund t’i hiqte “Champions Leaguen” nga duart Gjimshitit, do të ishte një humbje ndaj Juventusit, me Milanin që i fiton dy takimet e fundit. Sa i përket skuadrave të tjera që ishin në garë, me Interin thuajse të siguruar, një fitore në ndeshjen e fundit nga Atalanta ndaj një ekipi pa asnjë objektiv si Sasuolo, do të ishte mëse e mjaftueshme për t’iu bashkuar zikaltërve. /Shqiperia.ch/