
Anxhelo Ndrecka ishte shqiptari që do të bënte historinë në Serinë A para disa ditësh, sa i përket lojtarëve tanë që kanë luajtur në elitën italiane. Vetëm 17-vjeç është ky mbrojtës, por kjo nuk e ka ndalur që të debutojë kundër Spalit.
Së fundmi, është vetë futbollisti që rrëfen gjithë emocionet e përjetuara në ndeshjen e parë të tij me ekipin e Kievos në Seria A. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ndrecka tregon gjithë tensionin e përjetuar në momentin kur i konfirmuan se do të luante si titullar.
“Pasi kisha provuar të jem në stol për disa takime, ëndrra u bë realitet. Në orën 16:15 të 4 majit, moment që nuk do ta harroj kurrë, më njoftuan se do luaja titullar ndaj Spalit. Të më matje tensionin në atë moment, besoj do se thyhej çdo aparat. Zemra po më dilte vendit. “O Zot të falënderoj”, ishte ajo çfarë belbëzoja në ato moment. Luajta 90 minuta të ëndrrës sime të plotësuar. Përtej humbjes, pas ndeshjes komplimentet që mora më bënë me krahë”, ka thënë Ndrecka. /Shqiperia.ch/