Valon Berisha ka qenë një ndër futbollistët më të mirë të Kosovës në “Ligën e Kombeve”, duke i dhënë një dorë të madhe dardanëve për të kryesuar grupin në fundin e këtij turneu. Tashmë është Kosova ajo që e ndihmon mesfushorin shqiptar, duke bërë që Lacio ta llogarisë si titullarë ndaj Milanit, duke parë formën që ai ka treguar në kohët e fundit.
Në një intervistë për mediat pranë klubit lacial, Berisha ka komentuar gjatë për suksesin e Kosovës, por mbi të gjitha për zgjedhjen e saj, pasi më parë ishte pjesë e Norvegjisë.
“Jam krenar që kam veshur fanellën e Kosovës. Është një zgjedhje që kam bërë për vendin tim, për familjen time dhe për gjakun tim. Unë nuk kisha nevojë të mendoj për këtë, është e vërtetë, unë u rrita në Norvegji dhe aty unë kam marrë hapat e parë, por kur më erdhi mundësia për të përfaqësuar vlerat e Kosovës në futboll, nuk u mendova dy herë”, u shpreh Berisha. /Shqiperia.ch/