Feronikeli ka arritur të fitojë përballë Lincolnit me rezultatin 1-0, për të kaluar në finale të fazës paraeliminatore të “Champions League”. Tani ekipi shqiptar do të ketë përballë Santa Coloma, për të mbërritur në turin e parë të këtij kompeticioni.
Në stadiumin thuajse të boshatisur, statistikat janë ato që flasin vetë në ndeshjen e Feronikelit. Megjithëse përballë saj kishte kundërshtarin modest të Gjibraltarit, atje ku futbolli ende nuk luhet në mënyrë profesionale, në fushë ishin miqtë ata që luajtën disi më mirë.
Mbajtja e topit u takoi me 51%, ndërsa kishte barazi edhe në aksionet e rrezikshme dhe gjuajtjet në portë. E për të bërë krahasimin me përfaqësuesen e Kosovës, sigurisht që nuk hiqet asnjë vijë paralele. Megjithëse flasim për ekipin kampion që dominoi në sezonin e shkuar në Kosovë, kjo ndeshje ishte një tjetër fakt që duhen falenderuar familjet emigrante që i kanë formuar fëmijët e tyre në shkollat europiane të futbollit dhe i kanë sjellë te dardanët për të dhënë kontributin. /Shqiperia.ch/