Merkaton që lamë pas, Edon Zhegrova u huazua nga skuadra e Andërlektit, tek zviceranët e Bazelit me të drejtë blerje. Që nga periudha e janarit e deri më tani sulmuesi dardanas ka mundur të luajë vetëm 3 ndeshje dhe në total 37 minuta lojë. Duket se hapësirat për të tek Bazeli kanë qënë shumë të pakta, ku kjo gjë ndodh pasi lojtari ende nuk është përshtatur me lojën e klubit zviceran dhe për pasojë është dashur të luajë vetëm pak minuta.
Me këto ritme pakënaqësia e Zhegrovës për mos aktivizimin e shpeshtë është tepër e madhe dhe ndonëse është ende shumë i ri, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës nuk mundet ta pranojë këtë fakt. Duket se tashmë vijnë lajme të mira për Edonin, teksa sipas asaj që zbulon “Indeksionline”, ekipi i Bazelit gjatë merkatos së ardhshme pritet që të shesë futbollistin që luan në krahun e Zhegrovës për t’i hapur vendin shqiptarit.
Megjithëse në thelb e gjitha kjo nuk qëndron aspak, pasi nëse do të ekzistonte një plan i tillë, padyshim që futbollisti i Kosovës nuk do të lihej vetëm me 37 minuta loje në gjithë këtë kohë të gjatë. /Shqiperia.ch/