Në kohët e fundit ka pasur gjithmonë diskutime sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, me tifozët që i dhemb shpirti kur shohin dy ekipe të ndara. Madje diskutime si ai i Herolind Shalës që luajti me dorë të thyer ndaj kuqezinjëve dhe pas ndeshjes përfundoi në operacion, vetëm për t’i treguar se kishin gabuar, shton edhe më shumë frikën e madhe.
Pra nga një ndeshje vëllazërore kthehet në aromën e një derbi, që kurrsesi nuk duhet të ndodhë. Ideali i tifozëve shqiptarë ka qenë dhe mbetet për 1 Komb dhe 1 Kombëtare. Por në fakt ka edhe një rrugë të mesme ideale për të qenë po kaq të bashkuar, megjithëse me dy ekipe të ndryshme.
Këtu mund të futet teoria e shtëpisë së madhe. Kështu futbollistët më kualitativ shqiptarë nga të gjitha trojet mund t’i bashkohen Kombëtares së vetme, Shqipërisë. Ndërkohë nëse ndodhte një gjë e tillë, atëherë stoli ynë do të ishte i tejmbushur edhe me emra shumë kualitativ.
Një pjesë prej tyre që nuk e gjejnë hapësirën për debutim te kuqezinjtë dhe lojtarë shqiptarë të Shqipërisë mund t’i bashkoheshin Kosovës, për t’u paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze edhe te dardanët. Pra në këtë mënyrë Kosova do të ishte aty dhe do të kishte kreditet e fituara për t’i treguar edhe botës se është një shtet më vete me shqiptarët si pjesë përbërse.
Ndërsa do të bashkoheshim po me një Kombëtare të fortë dhe më shumë konkurruese për të mbërritur në Europian dhe Botëror. Megjithëse në realitetin e tanishëm është shumë larg për të ndodhur, por kjo do të ishte zgjidhja ideale. Për sa kohë do të kemi një Kombëtare dhe një përfaqësuese si tani, atëherë brenda pak kohësh mund të ndodhi ajo që është edhe frika më e madhe.