
Gjatë mbrëmjes së sotme janë ndarë edhe çmimet në Zvicër, sa i përket sezonit që lamë pas në kampionatin vendas. Zgjedhjet përfundimtare nuk kanë qenë ato më të mirat e mundshme, ndërsa helvetët dukshëm i jepnin prioritet lojtarëve të tyre.
Nëse pyesni tifozët që ndjekin me vëmendje kampionatet elitare në Europë, se cilin prej lojtarëve të rinjë veçojnë nga Zvicra, Bastien Toma do të ishte përgjigja e menjëhershme. Nuk është edhe aq e vështirë për t’u kuptuar faktikisht, pasi dy pasime të magjishme nga ky futbollist e që do të finalizoheshin nga Lenjani, do të bënin xhiron e rrjeteve sociale.
Vendin e parë, si talenti më i mirë në Zvicër, do e merrte Djibril Sow. Mesfushori i Young Boys është për t’u përgëzuar me aftësitë e tij, por në këtë rast merr një fitore të pamerituar. Edhe nëse bazohemi në rregullin bazë të krahasimit, statistikat për të dy lojtarët. Në 21 ndeshje të zhvilluara, futbollisti në fjalë ka dhuruar vetëm 4 asist.
Nga ana tjetër, Bastien Toma në vetëm 17 ndeshje ka dhënë 6 asist dhe ka shënuar dy gola. Madje në realizimin e fundit të tij, bëhej fjalë për një kryevepër nga distanca. Kjo është edhe “vetëvrasja” e parë që bën Zvicra me futbollistin shqiptar, me dëshirën për të ndihmuar lojtarët e saj e duke harruar se Toma është emri më i preferuar për helvetët së fundmi. Teksa mesfushori i Sionit ndodhet ende mes dilemave për Kombëtaren, një mesazh të qartë e ka marrë nga mbrëmja e sotme: “Shtëpi, e ëmbla shtëpi”. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/