
Faton Xhemaili është i vetmi futbollist shqiptar, që luan në kampionatin serb. Futbollisti i cili në ditën e djeshme ka festuar edhe datëlindjen e 20 në grumbullimin e Shpresave të Bushit, aktivizohet me klubin e Radnik.
Megjithëse hapësirat për të kanë qenë të pakëta, e kuptueshme kjo, Xhemaili konsiderohet si një lojtar që mund t’i shërbej të ardhmes së Kombëtares, duke parë edhe ndonjë hap tjetër që mund të bëj lojtari në fjalë në nivel klubesh.
Mbrojtësi i Shqipërisë U-21, ka dhënë një intervistë për “Shqiperia.ch” për të treguar pak nga gjendja e tij dhe reagimet e marra ndaj tij në vendin fqinj, kanë qenë përgjithësisht të mira.
Kjo është hera e parë që grumbulloheni me Kombëtaren që drejtohet Alban Bushit, si ndiheni për këtë fakt?
Po, është hera e parë që grumbullohem me Kombëtaren e U-21 të Shqipërisë. Çfarë të them? Është privilegj i madh që të jesh pjesë e këtyre djemëve dhe kësaj fanelle.
Ju jeni një futbollist në fillimet tuaja të karrierës, cila është ëndrra më e madhe e juaja me fanellën kuqezi ?
Për mua është vetëm fillimi i karrierës në futboll, shpresoj që të kem një vazhdimësi shumë të madhe. Ëndrra më e madhe ngelet që të luajë në fushë për fanellën kuqezi.
Luani në kampionatin serb. A e keni ndierë frymën e racizmit ndonjëherë gjatë kësaj kohe?
Deri tani në ndeshjet që kam bërë, nuk kam pasur asnjëherë problem me ekipin kundërshtar apo tifozët, kjo pasi flasim për një kampionat që mbi të gjitha, është profesional.
A ka të tjerë futbollistë shqiptarë që mund t’iu bashkangjiten në kampionatin serb, pasi deri tani vendi fqinj nuk u është dhënë hapësiar e mjaftueshme?
Për momentin unë jam i vetmi futbollist shqiptar në Superligën që zhvillohet në Serbi. Tani shpresoj se edhe me ndihmën e Zotit, do të me jepet mundësia dhe hapësira për të luajtur aty. /Rexhino Begolli- Shqiperia.ch/