
Përveçse dy lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares, Myrto Uzuni dhe Ardian Ismajli janë dy miq të mirë që gjenden shpeshherë me njëri-tjetrin edhe në Kroaci. Në ndeshjen e fundit që ka luajtur Hajduku i Splitit është përballur me Lokomotivën e Zagrebit, duke fituar me rezultatin 3-0.
Gjithmonë ka pasur shkëmbime batutash mes këtyre lojtarëve, ndërsa Ardian Ismajli ka folur sërish për Uzunin dhe Lirim Kastratin në mediat kroate. “Muri i pathyeshëm” është shprehur se dy lojtarët shqiptarë ndihen disi xheloz për ambientin që e karakterizon Hajdukun e Splitit:
“Sa i përket Kastratit dhe Uzunit, ata e presin me padurim ndeshjen me Hajdukun në shtëpinë tonë. Sigurisht janë edhe xhelozë. Edhe kur luajmë jashtë ndaj Lokomotivës së Zagrebit ne kemi mbështetjen e tifozëve tonë. E kujtoj që i vogël, gjithmonë një numër i madh i mbështetsve tanë në tribuna, së bashku me familjen time, që të jep emocion të madh”, ka thënë Ismajli. /Shqiperia.ch/