Sa shumë që gabojnë analistët shqiptarë të futbollit. Të gjithë duke iu vërsulur Panuçit, e duke e krahasuar punën e tij me njeriun që i dorëzoi çelsat, De Biazin. A thua se në kohën që kur i fundit na drejtonte, komentet për të ishin nga më pozitivet?
Jo, historia e tregon që jo. Shqipëria e atëhershme kritikohej sërish, madje edhe kur arrinte rezultatet pozitive. Kjo sepse edhe nëse fitonim, loja që do të tregonim në fushë ishte “e shëmtuar” deri diku. De Biazi kishte të njëjtën skemë, ndërsa tifozët e dinin formacionin pa e hedhur italiani në fushë. Ndërsa me Panuçin janë disa karakterista të tjera, por vlerat e trajnerëve nuk është se ndryshojnë shumë. De Biazi i panjohur ishte, të njohur e bëm. Panuçi gjithashtu, i panjohur ishte si trajner, e të njohur e kthyem.
Po atëherë, nëse edhe De Biazi nuk kishte ndonjë ndikim të madh te Kombëtarja, çfarë ndryshoi kaq shumë te ne brenda pak kohësh? A po, tani u kujtuam, Lorik Cana! Kapiteni legjendar është ai që i mungon më së shumti kombëtares shqiptare. Zemra, grinta, shpirti dhe gjithçka tjetër që ai tregonte në fushë, e bënin thjeshtë të pazëvendësueshëm.
Sa i përket cilësive të tij, mund të ishte edhe një piketë lehtësisht e kalueshme për kundërshtarin. Por nëse futbollistët e Kombëtares do e shihnin Canës të trishtuar e që kalohej lehtësisht nga rivali i tyre, do të bënin gjithçka nga vetja për t’i prishur aksionin futbollistit kundërshtar. Kjo pasi Loriku ishte më shumë sesa një lojtar, ndoshta vetë skuadra.
Dihej që në fillim se do të ishte e vështirë që të zëvendësohej ky njeri, e kështu rezultoi, megjithëse askush nuk e thotë një gjë të tillë. Cana ishte ai që gjithmonë e merrte përsipër fajin gjithmonë edhe pas gabimeve që kryente, duke e kaluar përgjegjësinë te vetja. Mavraj? Kapiteni nuk është vetëm çështje shiriti, mbrojtësi i Arisit mund të jetë më i denjë se të tjerët për të qenë kapiten, por nuk mund t’i afrohet Canës. “Faji im që humbëm? Nuk e di, mund të them thjesht që ndikoi edhe largimi im. Pastaj ne e kemi treguar edhe me Turqinë që dimë të luajmë me 10 lojtarë”, shprehej Mavraj në fundin e ndeshjes, për të mos e marrë të plotë përgjegjësinë mbi shpatulla, megjithëse bëri një veprim që nuk i shkon përshtat një lojtari të tillë. Në këtë moment, tifozët shqiptarë thjeshtë duhet të shfryhen: “Lorik Cana, ku je”? /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/