Virusi Covid-19 mes mijra jetësh të marra nuk kurseu as presidentin e skuadrës së Marsejës Pape Diuf. Ai u nda nga jeta pas një lufte me virusin famëkeq duke shokuar gjithë botën e sportit. Në nder të kujtimit të tij gazeta prestigjoze L’Equipe zgjodhi formacionin më të mirë të francezëve në gjithë historinë e drejtimit që Pape Diuf pati me Marsejën. Por ndaj këtij formacioni kanë qenë tifozët ata që kanë pasur rezerva në përzgjedhjen e tij.
“Ku është Cana”?, “Jeni qesharak, vendosni Canën në formacion”, “Qendërmbrojtja duhet të kishte Canën në vend të Zubar”, kanë qenë disa nga komentet e shumta që tifozët kanë lëshuar ndaj postimit të gazetës franceze. Një dashuri legjitime që tifozët ende ruajnë për ish-kapitenin e tyre dhe kërkojnë t’i njihen në çdo moment. Reagimet kanë qenë të shumta duke mos folur këtu për një e dy tifozë por për dhjetra tifozë që kanë ndarë të njejtin qendrim. Thënë ndryshe, ku shkel Cana, lihet gjurmë e madhe.