You are here
Home > Kombëtarja > Plisat për “Shqiperia.ch”: Keni dyshime ende për bashkimin? Nuk je patriot, nëse do vetëm oborrin tend

Plisat për “Shqiperia.ch”: Keni dyshime ende për bashkimin? Nuk je patriot, nëse do vetëm oborrin tend

Ashtu siç edhe e lajmëruam në mëngjesin e sotëm, pas rrëfimit të një historie rrënqethëse nga ana e Plisave për ”Shqiperia.ch”, ishte momenti për të treguar intervistën e plotë. Jemi sërish me kryetarin e këtij grupimi tifozësh, Albert Kastrati.

E megjithatë emrat e përveçëm kanë pak rëndësi, pasi të gjithë pjestarët e këtij grupi, e duan po aq sa njëri-tjetri Shqipërinë. Një dashuri e tillë i ka mbajtur të fortë dhe të mos përkulen përpara sulmeve ndaj tyre, që kohët e fundit kanë qenë jo të pakëta, e për të kaluar te sakrifica kur në minus 25 gradë celcius, atje ku shqiptarët e Kosovës do të merrnin malet për Kombëtaren. Për të vazhduar më tej është e tepërt, ndërsa gjithçka tjetër do e lexoni në këtë intervistë dhënë për faqen tonë.

Kosova del si përfaqësuese më vete. Mendimi i parë që kaloi në kokën e “Plisave”, a ka pasur ndonjë moment sado të vogël dyshimi, në lidhje me zgjedhjen tuaj?

Normalisht që i njëjti mendim që na erdhi atëherë, nuk ndryshon nga ky që kemi tani. Shqiptarët duhet të bashkohen në një Kombëtare dhe në një shtet.

Një frymë përçarëse duket se është futur së fundmi. Përse po shigjetoheni kaq shumë? Keni ndonjë ide se çfarë interesash luhen dhe fitohen mbrapa së gjithës kësaj?

Asnjë qendrim i drejtë nuk është i lehtë. Mendoni se e kanë pasur të lehtë shqiptarët që të mbijetojnë në rrethanat në të cilat kanë kaluar? Jo, sigurisht që jo. Çdo lëvizje e idealistëve është sulmuar nga skeptikët, por aty dallohen idealistët nga kalkulantët, të fortët nga të dobëtit etj.

Po dashuria për Shqipërinë, na e komentoni pak më gjatë. Sa e ndien një pjesëtar i thjeshtë i “Plisave” atdheun tonë të përbashkët?

Mendoj se e ndien po aq sa e ndien secili shqiptar ku do që jeton. Njësoj mendoj se e ndiejnë edhe shqiptaret në Mal të Zi(ne kemi nëngrup të Plisave në Ulqin), apo një tjetër në Maqedoni. E kjo nuk është dashuri vetëm për Shqipërinë. Dashuri e njëjtë është edhe për Kosovën edhe për trojet tona në Maqedoni, Mal të Zi, Lugina e Preshevës e gjithandej. Nuk mund të bëhesh patriot nëse e do vetëm “oborrin tend”.

Nga të gjitha transfertat që keni bërë derimë tani, çfarë do të veçonit nga reagimi i të huajve kundrejt tifozëve shqiptarë? Gjithmonë kanë qenë mikëpritës, si ajo panoramë që ne treguam ndaj skocezëve?

Mund të veçoj kampionatin në Francë, për shkak se ishte hera e pareë që shqiptarët e përjetuan një emocion të tillë. Mirëpo udhëtime të bukura kemi pasur nëpër gjithë Europën. Sa për mikpritje, normalisht që jo, nëpër vende të ndryshme kemi hasur edhe ne problem. Por ne e dijmë që popujt e tjerë nuk e kanë për qëllim të duken mirë para tjerëve, kështu që gjithmonë jemi të përgatitur.

Eshtrat do të shkojnë në qetësi, kur Kosova të bashkohet me nënën Shqipëri. Do e gëzojmë së bashku këtë ditë?

Keni dyshime ju?! Iu thashë: “Idealistët kontestohen nga skeptikët, por në fund të gjithë bashkë gëzohen.

Të gjithë për bashkimin, por çfarë e mire do të na sillte realisht një gjë e tillë kur të ndodhte?

Popujt e tjerë nëpër botë pushtojnë territore e popuj(që janë armiqësor për ta), vetëm e vetëm që të zgjerohen qoftë në territor, qoftë në fuqi ushtarake apo ekonomike. Ne jemi popull i njëjtë, andaj e kemi shumë të lehtë që të bëhemi fuqi e Ballkanit e faktor i rëndësishëm në Europë. Luhatja e balanceve të fuqive politike në Europe e botë tregojnë që nuk ka garanci për asnjë popull në botë. E aq më pak në Ballkan, ku popujt që na rrethojnë historikisht janë treguar armiqesor me ne.

Ekonomia është po ashtu faktor i rëndësishëm. Nje popull është i fortë, aq sa eshte i pasur. Në Ballkan duhet të jemi po ashtu edhe superfuqi ekonomike. Luhatjeve të pozicioneve politike e ekonomike në Europe, duhet t’u bëjmë ballë me pozicionimin tonë të përbashkët.

Si po iu duket puna që po bën Federata e Kosovës në afrimin e lojtarëve, është e drejtë politika që ndiqet?

A e dini se çfarë nuk është e drejtë? Nuk është e drejtë qasja e Federatave për ne. Kemi mjaftueshëm talente sa ta mbajmë edhe Kombetaren e Zvicrës, e lere më këto dy ekipe. Federatat duhet të ulen e të bashkëpunojnë më tepër. Nuk po flasim për Federatën e Serbisë, por për Federatat shqiptare.

Një mesazh për të gjithë lojtarët e rinjë që janë në dyshime mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Mesazhi im për të gjithë lojtarët, ku do që luajnë është që të mos bien pre e politikave ditore të të tjerëve. Mos harroni që jeni shqiptarë dhe se puna e drejtë për kombin është detyra më e lartë që një njeri mund ta ketë. Mos e bëni asnjë veprim që e perçan popullin shqiptar, por veproni ku të mundeni për t’i bashkuar shqiptarët. E mos harroni: “Shqiptarë nuk ka vetëm në Kosovë e Shqipëri, por duhet të mendoni edhe per ata në Mal te Zi, Luginë të Preshevës e Maqedoni.

E në fund, deri ku ka shkuar çmenduria më e madhe për Kombëtaren? Një moment që mund ta veçsosh?

Momente sakrificash për Kombëtaren ka shumë për ne. Njëri më i çmendur se tjetri, por i pari që më bie ndër mend, është ajo në ndeshjen e vitit 2005 kundër Ukrainës, në Tiranë. Ishte muaji shkurt dhe ishte tepër ftohtë. Disa nga anëtarët tanë kishin probleme me dokumentacionin prandaj vendosëm që të hymë në Shqipëri përmes malit. Dhe tani iu lutem vetëm që ta imagjinoni, një situatë të tillë.

E kalojmë kufirin përmes malit, temperatura minus 25 gradë celcius, bora mbi 1 metër e gjysmë, e ne nëpër një rrugë që nuk e dinim se ku të shpinte. U ndalëm në një bunker që të pushojmë pak, sepse e kishim gati të pamundur të vazhdonim për shkak të të ftohtit dhe borës. Për shkak se ishim të bllokuar, jemi detyruar që të dorëzohemi tek kufitarët e Shqipërisë. Kemi qenë të bindur se do të na arrestojnë, por kur na kanë parë se në çfarë gjendje ishim, ndodhi pikërisht e kundërta.

Ata nuk mund të besonin se çfarë po shihnin e se para syve kishin njerëz gati të ngrirë. Nuk po i besonin sesi kishim mundur t’u mbijetonim atyre kushteve, prandaj na morrën brenda në zyrë, na ngrohën, na ofruan pije e mbi të gjitha, na siguruan edhe transport deri në Tiranë. Pra, kemi qenë buzë vdekjes, por më besoni:  “Kjo nuk është çmenduria e vetme që e kemi bërë për Kombëtaren”, përfundoi kryetari i Plisave. /Klaudio Ndreca-Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top