Klaus Gjasula do të luajë me Paderbornin në Bundesligë gjatë sezonit të ardhshëm, duke arritur njëkohësisht në kulmin e karrierës së tij. Një histori e veçantë kjo për mesfushorin e lindur në Tiranë, që ndoshta nuk do e kishte besuar këtë përfundim edhe në ëndrrën më të bukur.
Ndër të vetmit shqiptar që i ka kaluar të gjitha fazat në futbollin gjerman, pasi ka luajtur në kategorinë e katërt, të tretën, të dytën dhe për të mbërritur deri në këtë pikë. Asgjë nuk ka ardhur e rastësishme për të, por është Gjasula që me karakterin e “luftëtarit” ka treguar dhëmbët në çdo moment të karrierës.
Një moment vërtet interesant do të ishte para pak vitesh, kur mesfushori u transferua te Halleshen në ligën e tretë. Gjasula ndodhej në Tiranë te gjyshërit e tij dhe nuk po gjente dot faks për të dërguar një dokument të firmosur, që të vazhdonte karrierën me klubin e Halleshen. I ndihmuar nga teknologjia, lojtari shqiptar ia dërgoi trajnerit kontratën e tij nëpërmjet një fotografie me “Whats App”. E gjitha kjo tashmë i përket vetëm së shkuarës, me Gjasulën që ka ngjitur shumë shkallë në vetëm pak vite. /Shqiperia.ch/