Interi prej një kohe të gjatë ndjek me interes profilin e Marash Kumbullës dhe shihet si një nga klubet që mund të përfitojë shërbimet e tij në merkato. Mbrëmjen e djeshme e patën përballë, duke e parë më nga afër se çfarë mund të bëjë në fushë. Përpara fillimit të ndeshjes ka folur për “Sky Sport” drejtori sportiv i zikaltërve, Xhuzepe Marota.
I pyetur në lidhje me Kumbullën, Marota nuk i kursen vlerësimet për mbrojtësin kuqezi. Madje shpreh keqardhjen që talenti 20-vjeçar ka zgjedhur të veshë fanellën e Kombëtares së Shqipërisë dhe jo atë të Italisë.
“Unë duhet të them se ai është një lojtar me shumë klube të mëdha që e kërkojnë. Është i ri dhe është për të ardhur keq që zgjodhi të luante për Kombëtaren e Shqipërisë dhe jo atë të Italisë. Nga këndvështrimi i vlerës së futbollit, është pjesë e atyre të rinjve jashtëzakonisht interesantë, të cilët futbolli italian ende arrin t’i numërojë”, ka thënë Marota./Sport Ekspres/