
Tashmë janë mbyllur zyrtarisht kërkimet për të gjetur Emiliano Salan dhe pilotin e një avioni që nuk mbërriti kurrë në destinacion, pas asaj nisje nga Nantesi. Gjatë këtyre ditëve të fundit, teori dhe hipoteza të mëdha janë hedhur nga njerëz të ndryshëm, për të shpjeguar gjithë këtë rast të pazakontë.
Por sa herë që e shohim më hollësisht ngjarjen, natyrshëm fjalët e ish-të dashurës së Salas, Shckair janë ato që të vijnë ndërmend. “Unë nuk i besoj rastësitë në këtë rast, hetoni me patjetër mafian e futbollit. Po e humbni kohën kot”.
Megjithëse në fillim u dukën si fjalë të dala në emocione e sipër, policia do të binte në të njëjtin përfundim. Kërkimet u mbyllën, pasi vetë avioni nuk e ka një kuti të zezë dhe është thuajse e pamundur të sinjalizohet vendodhja e saktë e atij mjeti udhëtues. Sa i përket teorisë se dikush e ka kërkuar një ngjarje të tillë, këto janë katër arsyet që mbështeten sipas mediave të ndryshme europiane dhe që bëhen të ditura për opinionin publik në vendin tonë nga “Shqiperia.ch”:
1- Ndryshimi i pilotit
Faktikisht, mediat sportive në botë janë ngatërruar aq shumë për emrin e pilotit të avionit që u zhduk në mënyrë të mistershme, aqsa vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe së fundmi. Ndoshta edhe pa shumë peshë faji, pasi e tillë ishte historia e Sala. Letrat zyrtare, ishin të tilla që piloti britanik, Dave Ibotson do të dërgonte futbollistin e Nantesit drejt Uellsit. Por jo vetëm që nuk rezultoi kështu, por Ibotson as që nuk hipi në avion. Vendin e tij e mori një tjetër britanik në çastin e fundit, Dave Henderson. Kur dhe përse erdhi ky ndërrim? Ende nuk kuptohet.
2- Dëshira e pakuptimtë për “vetëvrasje”, duhej të nisej me patjetër në atë mbrëmje
Mediat angleze raportuan se avioni i vogël privat, u ngrit në ajër nga Nantes, pas përpjekjes së katërt. Dukshëm diçka nuk shkonte dhe nxitimi për të nisur udhëtimin me patjetër, lë hije misteri. Përse ky fluturim kërkohej kaq me ngulm të mbyllej atë mbrëmje, ndërsa farë mirë mund të shtyhej për në mëngjes, atëherë kur kushtet klimaterike ishin shumë më të favorshme?
3- Mjeti më i pasigurt që ekzistonte, avioni vetëm siguri që nuk mund të jepte
Në një nga arsyet që lë akoma më tepër hije misteri se diçka është organizuar dhe ishte në interesin e dikujt që e gjitha kjo të ndodhte, është padyshim mjeti me të cilin Sala do të udhëtonte. E kanë thënë e stërthënë edhe shumë kapitenë të avionëve në Angli, i gjithë ai udhëtim që u organizua për Sala, në mos të jetë dora e mafias së futbollit, duhet të jetë shaka pa kripë. Megjithëse duke parë se për kë bëhet fjalë, për një futbollist të një niveli të lartë ku edhe organizmi bëhet në detaje, shaka të tilla pa kripë, as që merren në konsideratë.
Kjo pasi ai lloj avioni që u nis futbollisti i Nantesit, “Piper Malibu PA-46”, nuk është ndërtuar për të bërë udhëtime gjatë natës dhe për t’i mbijetuar kushteve të vështira atmosferike. Në mbrëmje dhe në mes të një dimri të acartë u nis, në rastin konkret. Më e keqja? Nuk e ka një kuti të zezë, pra edhe nëse ka një aksident apo përplasje të këtij avioni, nuk mund të gjendet thuajse kurrë. Vetë autoritet i aviacionit civil, është shprehur se ka fare pak gjasa që ky mjet flutures, të jetë i pajisur me kutinë e zezë. Për këtë arsye policia dha vendimin për ndërprejen e kërkimeve.
4- Zhdukja perfekte
Avioni u shkëput nga radari, pas një veprimi deri diku dyshues të pilotit. Ky i fundit kërkoi të binte nga lartësia 1.524 metra, në 700 metra. Ky ishte sinjali i fundit i marrë nga ai mjet udhëtues, që të krijonte menjëherë përshtypjen se diçka kishte shkuar keq dhe situata kishte dalë nga kontrolli. Nëse avioni nuk mund të bënte uljen emergjente të kërkuar, atëherë ai do të ishte përplasur. Kështu u krijua edhe përshtypja e parë, por që me një mister të madh, asgjë nuk u gjet nga mbetje e atij mjeti udhëtues. Fundin e mistershëm, e mbyllin fjalët e fundit të Salas për babin e tij: “Kam shumë frikë”. A mund të jenë të gjitha këto fakte që mund të verifikohen lehtësisht në internet si rastësi? Vështirë duket! /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/