
Futbollistët e afruar gjatë verës te Partizani rezultuan një dështim dhe ashtu si erdhën, u larguan nga të kuqtë për t’u kthyer në vendlindjet e tyre apo për të vazhduar karrierën në kampionate të tjera. Kjo ndodhi edhe me mesfushorin Xhovani La Kamera, i vetmi që luajti më rregullisht mes atyre që u afruan në verë.
Por nëse në Shqipëri ai ishte një dështim, në Itali, ka gjetur strehë te Rexhina, duke u kthyer në një lider të mesfushës dhe duke e ndihmuar këtë klub që të mbijetonte në Serinë C.
“Mendoj se kam dhënë kontributin tim. Kam gjetur një grup lojtarësh të rinj të ndërthurur me disa elementë me eksperiencë. Këtu janë ambiciozë, jam ndjerë menjëherë pjesë integrale e kësaj skuadre. Trajneri Maurici është një prej më të aftëve që kam njohur, dhe me të jam argëtuar shumë.

Sezoni im? Në fillimin e këtij viti pata mundësinë që të përballem me elitën e futbollit shqiptar dhe ishte një eksperiencë e madhe. Pastaj u ktheva në Serinë C, ku ka shumë të rinj, por mbetet një kampionat me cilësi të mirë”, ishte komenti për mediat italiane i mesfushorit për vitin e tij të çuditshëm, të ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë. /vipsport.al/