Në Shqipëri çdo gjë për trajnerët e huaj përjetohet ndryshe. Ndoshta ngaqë jemi ballkanas dhe gjaknxehtë, duke u përpjekur t’i tregojmë vendin të tjerëve, shpeshherë edhe përpara kohe, ose ndoshta se kur ndodh diçka e mirë duam që të gjithë të jemi pjesë e saj, për të mos rrëzuar në tokë krenarinë tonë.
Në fillim ishte Giani De Biassi, i cili kur drejtonte Kombëtaren, do të shprehej: “Kur Shqipëria ia del, të gjithë kërkojnë një pjesë të triumfit të saj, ndërsa kur dështon ta faturojnë ty të gjithë përgjegjësinë”.
Pak ditë më parë, menjëherë pasi mbaroi ndeshja ndaj Izraelit, trajneri aktual i Shqipërisë, Panuçi arriti në të njëjtin përfundim, duke qëndruar në këtë ide: “Kur fiton në Shqipëri të ngrenë në ajër, ndërsa kur humbet, të hedhin në tokë”.
Një ligjëratë kjo me kuptim të njëjtë si ajo e paraardhësit të tij, De Biassi. Atëherë, lind pyetja, përse kështu?
Kjo situatë vjen falë mentalitetit të trajnerëve italianë dhe sjelljes së tyre në drejtimin e skuadrës, apo jemi ne, shqiptarët, që shpeshherë kërkojmë t’i marrim maksimumin edhe disa gjërave, që nuk mund të japin më asgjë?
Një temë kjo që përmban shumë debat. Duke filluar nga vetë ne, të cilët pasi morëm pjesë në “Euro 2016”, kemi filluar të kërkojmë më shumë nga ekipi kombëtar, ndoshta dhe përtej limiteve të tyre. Sa herë që ata arrijnë rezultate pozitive, të gjithë duam të marrim merita, duke filluar nga ai, mbështetësi i ekipit që e shikon gjithmonë nga televizori Shqipërinë, duke trumpetuar një besnikër të shtirur, e deri tek drejtuesit më të lartë të vendit. Ne krenohemi me futbollistët tanë gjithmonë kur ata arrijnë rezultate pozitive.
Ekstremisht e kundërta ndodh në momentin kur ka rezultate negative. Në momentin që nuk ka një rezultat pozitiv, të gjithë fillojnë dhe shfryjnë kundër djemve kuqezi, dhe sidomos kundër numrit një të pankinës, duke i kaluar të gjithë përgjegjësit tek trajneri.
Një metodë kjo, që mesa duket nuk po pëlqehet nga trajnerët e huaj, të cilët pak nga pak po revoltohen me këtë gjë dhe në shumtën e rasteve dalin dhe nga vetja e tyre me reagime tepër të ashpëra. Në Shqipëri të adhurojnë kur je mirë, por në rast të kundërt, duhet të mësohesh me idenë e të qënit i vetëm kundër të gjithëve. /Rexhino Begolli- Shqipëria.ch/