
Emiliano Bullari quhet talenti më i ri shqiptar, që është komentuar gjerësisht në mediat greke gjatë kohëve të fundit. Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, do të shprehej se ekzistojnë të gjitha mundësitë që sulmuesi që është pjesë e Olimpiakosit, t’i bashkohet kuqezinjve.
Në një kohë kur Greqia kishte pretendimet e saj tek ky lojtar, një deklaratë e tillë nuk kishte sesi të pritej në mënyrën e duhur. Masa e parë ndëshkuese dhe paralajmëruese duket se është marrë nga skuadra greke. Në ndeshjen e Kupës të fituar ndaj Aris Avotos që është një ekip amator, janë thirrur rreth pesë lojtarë nga akademia: Martinis, Xenitidis, Peios, Neophytidis dhe Marinos, që debutuan me ekipin e parë.
Çuditërisht, deri diku, një lojtar si Bullari, nuk është thirrur nga ana e drejtuesve të Olimpiakosit. Sipas asaj që raportohet në mediat greke u përfol se sulmuesi shqiptar duhet të përmirësohet më tepër, për të arritur në një pikë të tillë, ku të ndeshet ndaj një rivali me nivel amator. Pra, shpresa për të ardhmen e Bullarit me Olimpiakosin veniten dhe me të drejtë, pasi nuk llogaritet edhe në kushte të tilla.
Megjithatë historia na tregon të kundërtën. Nuk kanë qenë të pakëta rastet kur karriera e një lojtari shqiptar të digjet vetëm sepse ka vendosur vendlindjen e tij para Greqisë. Sa shumë e ka vuajtur në kurriz këtë fakt Ergys Kaçe, ndërsa futbollisti i fundit që e pësoi ishte mesfushori i AEK, Hajdari. Ky i fundit preferohej gjithmonë nga skuadra greke, derisa zgjodhi t’i bashkohej Shqipërisë. Rasti i Bullarit dhe mënyrës sesi karriera e tij do të rrjedhë meriton një vëmendje të veçantë, pasi jo gjithmonë ajo që raportohet nga vendi fqinj është edhe e vërteta. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/