Bekim Balaj dhe Odise Roshi janë të pandarë me njëri-tjetrin, ndërsa edhe në këtë kohë të vështirë të pandemisë, janë duke e kaluar së bashku në Austri. Lojtarët kanë treguar në një intervistë të gjatë për “REPORT TV” mënyrën sesi po e kalojnë këtë periudhë, por duke folur edhe për shumëçka.
Një nga temat e prekura ishte mungesa e mbështetjes nga ana e qeverisë për sportin. Balaj flet edhe me shembull konkret nga Austria, duke treguar sesi është proceduar atje. Ideja është e qartë, shteti duhet të paguajë të gjithë futbollistët në bazë të fitimeve që ata kanë deklaruar gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Kjo ka qenë periudhë për të gjithë e vështirë, por për ne njerëzit e sportit, një muaj në karantinë në Austri. Por mund të them se më e vështirë është jeta dhe siguria se aktivitetet sportive. Shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt dhe të kthehemi në normalitet.
Jemi munduar, kemi bërë stërvitje në planin individual më shumë, afër shtëpisë kam një park. Këtu nuk është si në Shqipëri, ku masat janë shumë të rrepta, këtu kemi qenë pak më të mirë. Nuk lejohet grupi i njerëzve më shumë se dy persona në park, por ka mjaftuar për të pritur me padurim që gjithcka të kthehet në normalitet. Këtu do të ketë lehtësime pas datës 14 apo 16, pas Pashkës, biznesi i vogël do i kthehet normalitetit por rregullat do të jenë strikt, por do të provojnë gradualisht.
Politikën e ndjekim, jemi të lidhur, por momentalisht gjithë fokusi është te sporti. Më erdhi mirë kur e dëgjova këtë nisëm që mori Federata. Futbollistët nga kjo jetojnë, pagesat janë shumë të rëndësishme, ndoshta nuk është gjetur gjuha e përbashkët me qeverinë. Ne në Austri kemi firmosur një kontratë për tre muajt e ardhshëm pagesa bëhet nga shteti i Austrisë thuajse e plotë dhe nuk paguan klubi. Por në Shqipëri qeveria nuk ishte asnjë mbështetje për futbollin, më vjen keq, pasi edhe futbolli si të gjitha bizneset po vuan…duhet ndihmë.
Nuk dua të hyj shumë në detaje, ndoshta është edhe e vërtetë ajo që thotë kryeministri. Ndoshta i bie edhe qeverisë që të jetë më rigoroze dhe jo të kujtohet sot. Cdo futbollist firmos një kontratë dhe më e pakta të paguhet në bazë të asaj”, u shpreh Balaj.
Nga ana tjetër Odise Roshi ka prekur temën e Kombëtares së përbashkët, për t’u mos u ndarë në dy pjesë me Kosovën.
“Ajo do të ishte një gjë shumë e mirë, sepse jemi një komb, por tani ajo gjë është vendosur dhe secili ka kombëtaren e vet, por do të ishte mirë të kishim një kombëtare, është e drejtë ajo që ka thënë ish-kapiteni kuqezi, Lorik Cana”.
Të njëjtën ide do e mbështeste edhe Bekim Balaj: “”Kjo dëshira është e madhe që të kemi një kombëtare, por ndoshta është e lidhur edhe me politikën, por pse jo në të ardhmen të kemi jo vetëm një kombëtare, por edhe një komb dhe një shtet të vetëm’.