Vera e këtij viti do të jetë shumë e veçantë për Kristal Abazajn, i cili duhet të anulojë të gjitha planet që ka për pushime. Kjo, pasi për herë të parë në karrierën e tij, do të jetë i detyruar që të shkojë pak javë pas përfundimit të kampionatit të vihet nën urdhrat e stafit teknik të skuadrës së Anderleht.
Superiorja mbyllet me 23 maj, kur Abazaj do t’i japë fund eksperiencës së tij me Luftëtarin.
Por menjëherë pas kësaj, ai pritet të grumbullohet për përfaqësuesen shqiptare për dy sfidat ndaj Kosovës dhe Ukrainës, pasi trajneri Panuçi kërkon të shohë në veprim futbollistin më të spikatur të këtij edicioni në futbollin e vendit tonë.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit të Anderleht, kanë bërë të qartë se përgatitjet për edicionin e ardhshëm do të fillojnë që në qershor. “Shpresoj të kem mbyllur gjithçka me transferimet e reja që më datë 18 qershor”, shpjegoi drejtori sportiv i Anderleht, Luk Devroe. Ajo është data kur lojtarët do të fillojnë grumbullohen në klub, për të nisur fazën përgatitore.
Kampionati belg fillon në fund të korrikut, ndaj përgatitjet e klubit belg fillojnë shumë herë. Kësisoj, Abazajt do t’i duhet që menjëherë pas ndeshjeve me Kombëtaren, të udhëtojë drejt Belgjikës, për të sistemuar çështjet “logjistike”, në mënyrë që më 18 qershor të jetë plotësisht në gatishmëri të klubit i cili lufton për titullin kampion në këtë sezon.
Nëse ia arrin një objektivi të tillë, përgatitjet do të jenë pak më ndryshe, pasi skuadra do të ketë të garantuar fazën në grupe të Ligës së Kampioneve. /E.K./vipsport.al/