
Menjëherë pas zyrtarizimit të Kombëtareve që do të ketë përballë Shqipëria në eleminatoret për Europianin e ardhshëm, të shumtë kanë qenë edhe reagimet e protagonistëve. Një ndër ta ishte edhe Sokol Cikalleshi, i ashtëquajtur “njeriu i shtyllave”. Sulmuesi ditën e djeshme në një prononcim për emisionin “Zona Gol” për “Supersport”, Cikalleshi u shpreh optimist për shanset për një kualifikim të mundshëm të Kombëtares tonë.
Me prononcimin e dhënë, ai u tregua optimist duke komentuar mbi situatën e grupit që gjendet Shqipëria. Sulmuesi u shpreh se shanset e Kombëtares tonë janë thuajse të barabarta si me Islandën edhe me Turqinë. Duke anashkaluar disi Francën nga vetë emri dhe përbërja e ekipit të gjelave, sulmuesi theksoi se lufta për vendin e dytë do të jetë mes Turqisë, Islandës dhe Shqipërisë.
“Çdo grup do të ishte i vështirë, por unë mendoj që duke veçuar Francën, është një grup i ekuilibruar, me skuadra që do të diskutojnë shanset e tyre. Turqia dhe Islanda do të jenë rivalët tanë direkt për kualifikim, por nuk duhet të harrojmë as Moldavinë, pasi ndaj të voglave ne vuajmë shumë. Është grup i vështirë, por duhet ta fillojmë shumë mirë edicionin, duke marrë maksimumin në dy sfidat e para, pasi kështu rriten shpresat”.
Sulmuesi i Kombëtares gjithashtu theksoi edhe ngjashmëritë e mëdha midis Turqisë dhe Islandës. Ai u shpreh se Turqia ka patur shumë luhatje dhe se nuk është aty ku duhet dhe se skuadra e Panuçit do t’i vlersojë në maksimum.
“Duke krahasuar ekipet me të cilat ne do të luftojmë për vendin e dytë, si Turqia dhe Islanda, mendoj se ka shumë ngjashmëri. Turqia ka pasur luhatje dhe nuk është aty ku duhet, për në eliminatore besoj se do të kenë një fytyrë krejt tjetër”, përfundoi Cilalleshi. /Shqiperia.ch/