You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Nga peshkimi i dalë huq me Kroacinë te dashuria për Kosovën, kush shpiku në rastin e Lirim Kastratit?

Nga peshkimi i dalë huq me Kroacinë te dashuria për Kosovën, kush shpiku në rastin e Lirim Kastratit?

“Unë nuk e kam marrë akoma një vendim, por nuk luaj dot për Kroacinë, nuk e kam as pasaportën e këtij vendi. Megjithatë, brenda 3 viteve mund ta merrja atë dhe të isha i gatshëm për Kombëtaren. Kroacia është shumë më e mirë dhe më e fortë në futboll se Shqipëria dhe Kosova. Mua do të më pëlqente të vishja fanellën e Kroacisë”, fjalë për fjalë, kjo ka qenë deklarata e dhënë para pak kohësh nga Lirim Kastrati për të përditshmen kroate, “Sportske novosti”.

Këtu jemi duke folur për median me më shumë ndikim në Kroaci dhe më kryesoren, ndërsa pa asnjë devijim të vetëm, këto ishin fjalët e Kastratit përpara se të zgjidhte Kosovën. Për të kaluar më pas tek një dashuri tjetër, ndërsa Lirimi nuk sqaron ende mirë të parën që duket se përfundoi herët. Çfarë ishin të gjitha ato fjalë, thjeshtë një flirtim dhe tentim për të kapur diçka të paarritshme, apo e gjitha një sajesë dashakeqe? Vetë futbollisti do e anashkalonte lehtë këtë intervistë, duke thënë se fjalët e tij janë keqinterpretuar.

Sigurisht, vetëm një mendjelehtë do ta kalonte këtë situatë kaq thjeshtë. Nuk mund të ketë keqinterpretim në dëshirën për të përfaqësuar fanellën e një tjetër shteti, e sidomos të zgjedhur për të t’i thënë këto fjalë dhe për t’i transmetuar në median më të rëndësishme dhe më me shumë ndikim në Kroaci. E kur “peshkimi“ përfundoi, mbërritëm në zgjedhjen përfundimtare. Në situata të tilla, janë vetë lojtarët ata që duhet të kuptojnë se tifozët janë shumë më të zgjuar nga çfarë ata parashikojnë dhe tema të tilla janë shumë delikate.

Dy ishin rrugët, Kastrati ose duhet të pranonte ato fjalë të thëna më parë, fundja nuk do të ishte as i pari as i fundit që e ka Shqipërinë dhe Kosovën si zgjedhje të dytë, ose në të kundërt duhej të denonconte median përkatëse për një shtrembërim fjalësh në mënyrë rrënjësore, pasi në atë mënyrë u ul edhe figura e shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Por rruga e ndjekur nuk ishte asnjëra prej tyre, ndërsa fjalët e lartëpërmendura ngelen vetëm si dëshmi e një varianti që i përket një taktike për t’u provuar njëherë, e për t’u parë se ku do të dilte. Tani, kush shpiku në rastin e Lirim Kastratit dhe zgjedhjes së tij të përfaqësueses? Që futbollisti tashmë luan me Kosovën kjo gjë është e ditur botërisht, por mirë do të ishte të dinim edhe diçka më të thellë, përpara se të mbërrinim deri këtu. Të paktën, të mos flasim për një dashuri të re, nëse nuk e kemi mbyllur një të vjetër më parë. /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top