
Pas asaj humbje të pamerituar deri diku të Shqipërisë ndaj Islandës me rezultatin 1-0, hidhërimi për tifozët do të largohet nga Shpresat. Kuqezinjtë U-21 do të rikthehen sërish në fushën e blertë, vetëm se këtë herë në një përballje miqësore me Uellsin.
Vetëm pak më ditë më parë, lojtarët e drejtuar nga Alban Bushi do të merrnin një barazim dramatik me Turqinë në shifrat 2-2, në sekondat e fundit të lojës. Shumë elemente janë për t’u pasur në vëzhgim te kuqezinjtë, mes të cilëve edhe sulmuesi i ri, Emiliano Bullari. Pikërisht golashënuesi që na solli barazimin ndaj Turqisë, me realizimin fantastik në frymën e fundit. Gjithashtu edhe Sherif Kallaku është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm, që e ka treguar klasin e tij gjithmonë kur i është dhënë rasti. Ndeshja me Uellsin do të zhvillohet në orën 17:00. /Shqiperia.ch/