Fundi i sezonit nuk i ka gjetur legjionar- ët të gjithë në një moment të suksesshëm. Nga e gjithë ecuria me skuadrat e tyre, rreshtohen të paktën dhjetë prej kuqezinjve që do të jenë me valixhe në duar sapo të hapet dritarja e transferimeve në përfundim të sezonit. Arsyet? Disa prej tyre po kalojnë situatë të vështirë në ekipet respektive dhe të tjerë kanë në treg një sërë ofertash.
SISTEMIMET – Një prej futbollistëve të Kombëtares që po vuan më së shumti gjendjen aktuale në skuadër është mbrojtësi i Hamburgut. Mërgim Mavraj, që pas ndeshjes miqësore ndaj Norvegjisë, ka marrë një ndëshkim nga ekipi. Pa dhënë asnjë arsye në publik, drejtuesit dhe stafi teknik i Hamburgut e dërguan shqiptarin në skuadrën e të rinjve dhe më pas e ndëshkuan që aty të kishte vetëm mundësi për t’u stërvitur e jo për aktivizim.
Në këto kushte, Mavraj do të jetë një prej lojtarëve që do të kërkojë destinacion të ri. Më i mundshmi? Disa skuadra prestigjioze turke janë të interesuara për shqiptarin. Kaçe, pas përfundimit të huazimit te Panathinaikos, do të jetë në kërkim të skuadrës. PAOK zotëron kartonin, por nuk përjashtohet mundësia e largimit nga ky ekip. Ledian Memushaj, i harruar nga Benevento që pas periudhës së janarit, kur për shqiptarin pati një sërë ofertash.
E ardhmja shihet edhe drejt Barit të Migjen Bashës. Arlind Ajeti është ende pezull për të ardhmen. Krotone është në dyshim për mbijetesën, ndërkohë që edhe pozitat e tij në ekip nuk janë të forta. Ndaj, pritet me shumë gjasë që të vendose Torino për të ardhmen e tij.
Drejt suksesit – Elseid Hysaj është ndër më të kërkuarit shqiptarë në merkato. Çelsi, Liverpul apo Junajtid mund të jenë destinacioni i mbrojtësit në merkaton e verës.
Berat Gjimshiti, me paraqitjet që ka bërë, do të rikthehet tek Atalanta, e cila i zotëron kartonin dhe me shumë gjasë pritet ta mbajë. Emanuele Ndoj, me sirenat nga Seria A që ka pasur, pritet të hedhë një hap cilësor. Qaka u transferua nga Poli Iasi te Steaua e Bukureshtit. Eros Grezda, pavarësisht dëmtimit së fundmi, pritet të ndryshojë destinacion. E ardhmja? Bundesliga mbetet opsion.
OLSI TUJANI