
Debutim më të shëmtuar nuk mund të kishte për Ardian Ismajlin. Një ëndërr për të luajtur për kombëtaren shqiptare, por që në ditën e parë kur paraqitet me kuqezinjtë, praktikisht kthehet në një “makth”, jo për fajin e tij lehtësisht e kuptueshme.
Shqipëria i kishte mbyllur hesapet me Skocinë, ndërsa mbrojtësi i Hajdukut e kishte të pamundur të ndryshonte fatin e takimit. E megjithatë, cilësitë e tij viheshin re qartësisht. Sapo hyri në fushën e lojës, Ismajli u përshtat në mënyrë të habitshme deri diku me ritmin e ndeshjes. Të gjitha duelet po fitoheshin me kundërshtarin, ndërsa lojtarët e Skocisë e kishin të pamundur ta kalonin atë e për t’iu afruar Etrit Berishës.
Për të mbërritur në atë penallti të dhënë nga arbitri rus, që do e mbyllte aty ndeshjen, pa pasur nevojë të luhen 45 minutat e tjera. E teksa i bëjmë një analizë gjithë lojës, mund të themi pa frikë që nëse Gjimshiti do të ngrihet akoma më shumë në nivelin e tij, kapiteni Mavraj del i tepërt në Kombëtare.
Arsyeja? Çelsat i dorëzon te Ardian Ismajli. Kuqezinjtë nuk e kanë luksin që të braktisen në fushën e lojës në këtë mënyrë, ndërsa veprimi i futbollistit të Arisit mbetet i përsëritur dhe që ishte krejtësisht në momentin e gabuar. Në kushte të tilla, vështrimi dhe investimi duhet të mbetet i gjithi te futbollisti i Hajdukut. Një lojtar me të ardhme të ndritur dhe plotë cilësi, sa mirë që e kemi… /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/