
Ditën e djeshme skuadra e Arisit, që ka në përbërje të saj dy legjionarët e Kombëtares, Basha dhe Mavraj, arriti të merrte një barazim 1-1 kundër skuadrës së Panathinajkosit të Ergys Kaçes. Vlen për t’u theksuar se kjo sfidë është vendosur nga pikat e bardha të penalltive.
Duket se kjo përballje mund të themi se ka kaluar pritshmëritë pasi gjatë 90 minutave janë akorduar tre 11-metërsha. Dy prej të cilave në favor të skuadrës së Arisit. Në derbin e kampionatit grek ishte një nga ato ndeshjet e luftuar të cilat fare mirë mund t’i quash edhe si “kornizë” e këtij kampionati. Përsa i përket lojtarëve kuqezinj, Migjen Basha ka luajtur titullarë gjatë 90 minutave, ndryshe nga shoku i tij i skuadrës dhe i Kombëtares, Mavraj, teksa ky i fundit u aktivizua vetëm 10 minutat e fundit të sfidës.
Ergys Kaçe që është në përbërje të klubit të Panathinaikosit, këtë derbi e nisi titullar, ku kjo sfidë për legjionarin tonë zgjati vetëm 75 minuta. Përballja e mbyllur në barazim, ishte një rezultat ndoshta jo i mirë si për Arisin ashtu edhe për Panathinaikosin, duke parë objektivat që kanë këto dy klube. /Shqiperia.ch/