Indrit Tuci është një prej lojtarëve që duhet të shihet me shumë vëmendje dhe përkujdes të veçantë. Ky futbollist është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, ndërsa pritet që të hedhë hapa të mëdha në karrierë, pasi i ka të gjitha aftësitë.
Ashtu si edhe vetë Besnik Prenga do ta quante, një yll të padiskutueshëm të së ardhmes, vetëm se duhet të presim për sezonin e ardhshëm. Tuci është akoma duke u ambientuar me futbollin e vërtetë, pas ardhjes nga të rinjtë.
Në një lidhje direkte për “Supersport”, sulmuesi që është pjesë e Shqipërisë U-21, tregon edhe emërtimin e veçantë që kanë te Lokomotiva e Zagrebit, për shkak të numrit të shumtë të lojtarëve shqiptarë.
“Aktualisht unë ndodhem në Laç, tani erdha nga Kroacia. I kam kërkuar leje klubi që ta kalojë këtë moment në shtëpi, me familjen time. Policia na ka shoqëruar që të mos qendrojmë rrugës, ndërsa testet nuk i kemi bërë, pasi po rrijmë të izoluar.
Kam ardhur vetëm me Uzunin, dy nga banda. Lojtarët te Lokomotiva na thërrasin banda e shqiptarëve, se shkojmë shumë mirë bashkë dhe të gjithë atje na mbajnë afër. Kampionati kroat shërben si një trampolinë e mirë në Ballkan. Tani shpresoj që ta rris edhe më shumë nivelin, për të bërë një hap të madh në vitin tjetër”, tha Tuci.