Drejtori teknik i Shqipërisë, Mustedanagiç e ka nisur punën e tij me një objektiv të qartë: “Për të dërguar kuqezinjtë sa më lartë në arenën ndërkombëtare”.
E nëse kjo do të përmbushet, atëherë Kombëtarja jonë, duke nisur nga ajo kryesorja e deri tek moshat, ka nevojë për furnizim me talente. Për këtë mendon edhe boshnjaku, i cili në shoqërinë e trajnerit të Shqipërisë U-21, U-19, U-17 dhe U-15, kanë shkuar në Greqi.
Kështu ka filluar edhe dita e parë e seleksionimeve në Athinë, teksa Bushi, Dede, Beqiri dhe Dama, në shoqërinë e Sulejman Memës, Dritan Babamustës dhe Denis Lilos, kanë parë më nga afër 60 lojtarë të datëlindjeve 2001-2002. Një mundësi e mirë kjo e lojtarëve që jetojnë në këtë vend, për të treguar vlerën e tyre dhe se e meritojnë një shans për të përfaqësuar Shqipërinë.
Seleksionimi do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, me lojtarë që janë edhe më të rinjë, të datëlindjes 2003-2004-2005. Ky lloj angazhimi i marrë së fundmi me Mustedanagiç në rolin e drejtorit teknik, ngroh zemrat e tifozëve shqiptarë për një të ardhme të ndritur. /Shqiperia.ch/