
Një vendim i guximshëm dhe me shumë prapaskena ishte ai i Shaland, për të vendosur portierin Muriq nga minuta e parë ndaj Azerbajxhanit. Megjithëse është llogjike që portieri Muriq të aktivizohet si titullar, duke marrë parasysh klubin nga vjen dhe aftësitë që zotëron, vendimi është marrë në momentin më të papritur.
Kosova luante ndaj Azerbajxhanit, një ndeshje që kishte vlerën e një finale. Muriq do të bënte debutimin e tij pikërisht aty, ndërsa çdo gabim sado i vogël, do të peshonte sa një kualifikim. Fatmirësisht asnjë gabim nuk ndodhi, pasi kundërshtari nuk pati thuajse asnjë rast në portën e dardanëve.
Mbrojtja me Shalandin tregoi edhe njëherë se është e konsoliduar edhe më në formë se kurrë, duke mos e lejuar kundërshtarin t’i afrohet zonës, megjithëse i duhej me patjetër fitorja dhe ishte hedhur në sulm. Madje, nëse flasim për kuriozitete, Muriq është hedhur më shumë në momentet e festimit të golave, sesa në 90 minuta ndaj Azerbajxhanit. Portieri që stërvitet nga Guardiola e ka braktisur portën e tij në të 4 golat e shënuar, duke festuar si i çmendur me shokët e tij të skuadrës. /Shqiperia.ch/