Tashmë kemi hyrë zyrtarisht në muajin e Kombëtares, ndërsa në datën 22 mars do të jetë edhe takimi i parë në kualifikueset e Europianit ndaj Turqisë. Shumë e vështirë pritet kjo përballje, ndaj një kundërshtari direkt për kalimin nga grupi.
“Shqiperia.ch”, si një media sportive e kushtuar tërësisht te Kombëtarja, publikon formacionin më të mirë të kuqezinjve, atë aktualin, duke marrë parasysh paraqitjen e lojtarëve, por edhe të kaluarën e tyre. Kështu, në portë mes Berishës dhe Strakoshës, është ky i fundit që ofron më tepër siguri. Madje edhe fitoren e vetme që do të merrnim në “Ligën e Kombeve”, do të vinte falë portierit të Lacios.
Dyshja e qëndrës së mbrojtjes është e ezauruar, me Ismajlin dhe Gjimshitin që e kanë thuajse të sigurtë fanellën e titullarit. Për të kaluar te krahët e saj, ku ka disa dyshime. Naser Aliji është kthyer pas një kohe të gjatë, duke dhënë siguri te Dinamo e Bukureshtit. Por nga ana tjetër është njoftuar edhe afrimi i mundshëm i Guidarës. Ky i fundit po shkëlqen te Belgrano dhe në rast se do të lërë përshtypje të jashtëzakonshme në stërvitje, mund të mendohet edhe një ndryshim i mundshëm.
Hysaj në të majtë, ashtu siç edhe po luan te Napoli, ndërsa Guidara në të djathtë. Por eksperimentet në ndeshje të tilla janë paksa të tepërta, ndërsa më i mundshmi është formacioni me Alijin dhe Hysajn në krahë. Për të kaluar me mesfushën, atje ku Abrashi, Bare dhe Xhaka janë lojtarët që garantojnë më shumë falë nivelit që kanë treguar në fushë me ekipet e tyre.
Sa i përket pjesës sulmuese, Durmishaj do të jetë një tjetër prurje e re e Panuçit. Duke parë formën që po kalon ky sulmues, atëherë padyshim që e fiton balotazhin me Sadikun, nëse shohim shifrat dhe jo emrat. Ndërsa sa i përket krahëve të sulmit, aty situata e Shqipërisë mbetet paksa problematike. Vetëm Uzuni është thuajse i sigurt për fanellën e titullarit, pasi e meriton një të tillë. Ndërsa për krahun tjetër, me dëmtimin e Eros Grezdës, ardhja e Vrushajt do të ishte zgjidhje ideale. Lojtari i Willemit II është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ka gjasa t’i bashkohet Shqipërisë, megjithëse ka luajtur më parë me të rinjtë e Greqisë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/