
Zakonisht tek ne termi “kafshë” përdoret në një kuptim të keq. Zakonisht këtë fjalë i përdorim ndaj njerëzve agresiv, që nuk dinë të sillen dhe që janë të ftohtë nga ana emocionale. Por nëse vazhdojmë t’i përmbahemi ende këtij përkufizimi, aspak korrekt… atëherë mirësevini në vitin 2019.
Atje ku njerëzit janë “kafshët” e supozuara, ndërsa këta të fundit mbeten njerëzit e vetëm në tokë. Shumë emocionuese dhe rrënqethëse ishte foto që ka publikuar motra e Emiliano Sala. Qeni me të cilin futbollisti kalonte aq shumë kohë kur nuk gjendej në fushën e blertë, e ndien shumë mungesën e tij.
I vetëm dhe me sytë drejtuar përtej derës, pret i pikëlluar ardhjen e Salas, ashtu siç ndodhte shpeshherë pas një ndeshje futbolli apo stërvitjes. Ndonjëherë fjalët e urta janë të vetmet që mund t’i japin shpjegim edhe disa fenomeneve disi të çuditshme: “Qeni, miku më besnik i njeriut”. Të paktën, në këtë rast ka pikëllim të sinqertë dhe aspak me interes kundrejt Salas, avioni i të cilit është gjetur i mbytur në ujë. Sigurisht, nëse edhe vetë dhurimi i dashurisë së pastër nuk konsiderohet si një interes i ndërsjelltë… /Shqiperia.ch/