Xhakomo Vrioni mund të themi se është një nga talentet shqiptar më të përfolur. Përpara se të grumbullohet Kombëtarja, ai është një dilemë më vete, pasi trajneri Panuçi duket se është në mëdyshje për grumbullimin e tij në sfidën e muajit mars.
Kujtojmë që sulmuesi 20 vjeçar, arriti të marrë simpatinë e të gjithë shqiptarëve për atë gol që arriti të shënonte kundër Italisë U-21. Tashmë është pjesë e skuadrës italiane të Venecias, ku me këtë klub ka mundur të zhvillojë plot 18 ndeshje në këtë sezon. Mundësia është e madhe se Vrioni nuk do mund të grumbullohet me Kombëtaren e madhe, pasi dhe alternativat në sulm janë të shumta.
Nga krahu tjetër, atë e favorizon edhe mosha e tij 20 vjeçare, ku ka të gjithë të ardhmen përpara. Në rast se ai nuk do të grumbullohet me Shqipërinë e Panuçit, atëherë me shumë mundësi do të jetë pjesë e Shqipërisë U-21 e drejtuar nga Alban Bushi, e cila do të ndeshet me Turqinë U-21 në Elbasan me datë 23 mars. Vrioni mund të jetë një forcë shtuar në rradhët e djemve të shpresave, aty ku këta të fundit do të synojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze në eleminatoret e kampionatit europian të 21-vjeçarëve./Shqiperia.ch/