Një nga liderët e skuadrës së Lacios dhe njëkohësisht i Kombëtares tonë, Thomas Strakosha, duket se e ka hedhur pas atë dëmtim që pësoi me të kaltërit në derbin përballë Romës fundjavën e shkuar.
U mendua se gardiani kuqezi nuk do të ishte i gatshëm për Lacion, për transfertën e vështirë që kanë këta të fundit ditën e nesërme përballë Fiorentinës.
Duket se Strakosha gëzon një formë të mirë, ku dhe stafi mjekësor lacial është shprehur optimist për gjëndjen e portierit dhe pritet që në ndeshjen e nesërme të jetë titullarë si zakonisht.
Këtë gjë e ka konfirmuar edhe trajneri i Lacios, Simone Inzaghi, teksa në konferencën e sotme përballë mediave u shpreh optimist për situatën fizike të Strakoshës. Ai theksoi se portieri shqiptar u stërvit së bashku me grupin.
“U stërvit sot me grupin dhe gjendja e Strakoshës është dukur shumë e mirë”, u shpreh trajneri lacial, Simone Inzaghi, duke thyer kështu pritshmëritë për mungesën e Strakoshës. /Shqiperia.ch/