
Loret Sadiku ishte një nga lojtarët më të përfolur nga lista e grumbullit të Panuçit për dy sfidat e fundit që zhvillojë Shqipëria. Kjo për shkak se vetë lojtari nuk pranoi që të jetë pjesë e kuqezinjve për sfidat që u zhvilluan në muajin nëntor.
Menjëherë pas kësaj kronologjie, menjëherë filluan spekulimet se Loreti nuk dëshiroi të ishte me kuqezinjtë për shkak se dëshiron të jetë pjesë e dardanëve. Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, u shpreh se kishte kontaktuar me Sadikun dhe se lojtari në fjalë kishte bërë këtë veprim për shkak se nuk është në 100% e tij, duke i kërkuar të mos e grumbullonte. Gjithashtu italiani theksoi se Loreti është në planet e tij për të ardhmen tek skuadra kuqezi.
“Sadikun e ftova pastaj me dërgoi një mesazh dhe folëm me njëri-tjetrin. Ai ishte i lumtur për grumbullimin, por më tha që kishte pasur probleme, nuk ishte 100%. Më kërkoi që të mos e grumbulloja. Edhe unë i thashë që të mos vijë nëse nuk është i gatshëm 100%. Ai është në plane për të ardhmen. Më pas ftova Kaçen, pasi edhe Ylber Ramadani kishte dëmtim”, u shpreh Panuçi.
Ditën e djeshme, presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë,Agim Ademi në një intervistë të dhënë për “Supersport” ndalon edhe te çështja e Sadikut. Ai shprehet se Loret Sadiku është lojtari i cili mund të jetë afrimi më i ri i Kosovës, teksa po përfundohet dokumentacioni Sadiku për të dhe jo vetëm duket se i ka mbetur peng nga ndeshjet miqësore që ka zhvilluar lojtari me dardanasit.
“Mund të zbuloni një emër? Emri i parë është Loret Sadiku, të cilit do t’ia përfundojmë dokumentacionin. Sigurisht që ka edhe të tjerë, por e thashë Loret Sadikun pasi na ka mbetur peng nga ato ndeshjet miqësore. Pastaj ishte gjendja e tij e keqe në dokumentacion, që do të marrin një rrugë tani”, përfundoi Agim Ademi. /Shqiperia.ch/