
Një mbrëmje po aq e magjishme sa edhe vetë Superkupa e Europës, ishte ajo e arbitres Stephanie Frappart. Hyri në histori si e para femër që drejtoi një ndeshje të këtij niveli, atje ku Liverpuli fitoi nga ruleta ruse ndaj Chelseat.
Thuajse asnjë gabim i vetëm dhe Frappart që shihej në çdo çep të fushës, duke përballuar në mënyrë fantastike 120 minutat e një përballje që nuk kishte kurrë qetësi. I vetmi gabim që është diskutuar për të, ishte ajo që vulosi edhe fatin e Superkupës.
Pikërisht në momentin kur Abraham gaboi përballë portierit Adrian. Ky i fundit kishte dalë pak më shumë sesa vija e portës ku duhej të qëndronte, në momentin që lojtari i Chelseat bëri edhe gjuajtjen e tij. Një gabim njerëzor dhe që mund të shihej vetëm nga TV pas disa përsëritjeve me “Replay”, ku sigurisht që nuk e njollos performancën e arbitres Stephanie Frappart. /Shqiperia.ch/