
Florian Marku ka fituar një tjetër betejë në mbrëmjen e sotme, duke triumfuar ndaj kundërshtarit të tij, rumunit, Vranceanu Ion.
Ndeshja u zhvilluar në Ferizaj, në një arenë të improvizuar për MMA. Ashtu siç edhe pritej Marku ishte i pandalshëm, duke e kontrolluar kundërshtarin, për t’i dhënë goditjen e fundit. Në raundin e parë shqiptari e fali rumunin, duke i thënë që të ngrihej dhe të luftonte sërish, megjithëse kishte mundësinë për ta mbyllur sfidën.
Më pas, raundi i dytë do të rezultonte edhe fatal për Vranceanu Ion, teksa e majta e Markut ishte “vrastare”.
“Si fillim dua të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit pasi më kanë mbështetur kudo që kam qenë, si jashtë, ashtu edhe brenda.
E kam ditur që do të fitojë, pasi ishte një ndeshje shumë e thjeshtë për mua. E patë vetë sesi kundërshtari “ra në gjumë”. Po i përballonte mirë grushtat e mi në raundin e parë, por aq zgjati. Unë gjithmonë fitoj në tokën time, kjo është e padiskutueshme.
Synimet e mia nuk ndalen vetëm këtu, ju e dini shumë mirë dhe unë kam për të arritur majat. Dua t’ju them vetëm një gjë: “Nuk keni parë asnjëherë më parë një sportist shqiptar, me kaq vetbesim të madh sa mua”. Do të shihemi në UFC”, u shpreh Florian Marku në përfundimin e ndeshjes. /Shqipëria.ch/