Gjatë kohëve të fundit “lufta” për talentet shqiptarë të cilët ende nuk kanë bërë zgjedhjen e tyre në lidhje me vendin që do të përfaqësojnë, është shtuar së tepërmi.
Emrat janë të shumtë dhe enigma që mbërthen historinë e tyre, është thuajse po e njëjta. Në konferencën për shtyp të zhvilluar gjatë ditës së sotme, Berat Gjimshiti ka dhënë mendimin e tij në lidhje me këtë çështje.
Ai shprehet se të gjithë futbollistët bëjnë zgjedhjen e tyre, ashtu siç ka bërë edhe mbrojtësi i Atalantës, duke zgjedhur Shqipërinë pasi e ndiente këtë gjë.
“Unë te Kombëtarja vij për të dhënë gjithmonë maksimumin. Megjithatë mënyra sesi unë kërkoj të hyj në formacion, është vetëm duke u përpjekur maksimalisht në stërvitje. Mavraj është një lojtar me eksperiencë që e ka në dorë mbrojtjen, nëse do të luaj unë, atëherë patjetër që kam për të dhënë kontributin tim. Tani do e studiojmë edhe më mirë kundërshtarin, e dimë se çfarë ekipi janë dhe të shohim pikat e dobëta.
Objektivi jonë është që të arrijmë sa më shumë sukses dhe do të provojmë gjithçka për të kaluar grupin. Diferencat mes Panuçit dhe Gasperinit janë të ndryshme. Çdonjeri ka karakterin dhe tipin e tij, e vetmja gjë që unë mund të bëj është t’i përshtatem.
Unë kam luajtur thuajse gjithmonë në skemë me 3 mbrojtës në takimet e fundit, por nuk është problem edhe përshtatja me 4 mbrojtës. Nuk duhet të mendojmë për provokimet e Izraelit në Elbasan Arena në takimin e parë, por të merremi me takimin e dytë që zhvilluam në Izrael, atje ku edhe fituam.
Unë nuk kam pasur dyshime te zgjedhja ime sepse jam ndierë shqiptar dhe nuk e ndërroja për asgjë tjetër. Megjithatë nuk jap dot një mesazh për tjetër futbollist, sepse zgjedhjet janë personale”, ka thënë Gjimshiti. /Shqipëria.ch/