Ku është Arlind Ajeti? Kjo është pyetja që ngre çdo tifoz shqiptar në lidhje me mbrojtësin që do të merrte rolin e “heroit” në Europianin e Francës. Thjeshtë i pakalueshëm në duele, me performacën që i siguroi edhe një kontratë te Torino.
Por vazhdimi ishte për t’u harruar, ndërsa erdhi edhe rikthimi në Zvicër. Në momentin dhe kohën e gabuar, pasi Grashopërsi e kishte marrë udhën e saj. Turpërimi vetëm sa po vazhdonte dhe kulmoi kur lojtarët duhej t’i dorëzonin fanellat te tifozët, pasi sipas këtyre të fundit nuk ishin të aftë për t’i mbajtur.
Rënia nga elita e futbollit zviceran u shoqërua edhe me largimin e Arlind Ajetit nga skuadra. Aktualisht është një lojtar i lirë, ndërsa asnjëherë nuk është përfolur për një klub që është interesuar për ta marrë në skuadër. Së fundmi është një media zvicerane: “Sfl.ch”, që me titullin “Lojtarët që nuk kanë ende këpucë në këmbët e tyre”, ka bërë një vëzhgim rreth futbollistëve që mund të japin ende shumë, por janë të lirë.
Në mes të disa emrave përfshihet edhe Arlind Ajeti, ku nuk mund të përjashtoheshin në përshkrim edhe paraqitjet e zhvilluara me Kombëtaren e Shqipërisë, apo edhe fakti që e ka nisur te Bazeli.