Një sezon mjaft i vështirë ishte ky që po lëmë pas për ekipin e Levantes, pasi po luftonte për mbijetesë në pjesën më të madhe të sezonit dhe dukej se do të ishte një nga skuadra e rëna të La Ligas.
Kjo situatë nuk zgjati shumë, derisa në skenë doli trajneri i ri, Pako Lopez. Me 22 pikë të marra nga 27 të mundshme, Pako Lopez mund të ngatërrohej lehtësisht me teknikun e një ekip gjigand të kampionatit spanjoll, por faktikisht ai ka marrë në situatë emergjente Levanten.
Në 9 takimet e zhvilluara në kampionat deri tani, tekniku spanjoll ka arritur të fitojë 7 takime, të barazojë 1, ndërsa është dorëzuar vetëm në “Metropolitan Wanda”, në atë disfatë ndaj Atletiko Madridit me rezultatin 3-0.
Sigurisht, këto rezultate fantastike bën që klubi i Levantes të hidhet menjëherë në veprim, duke kërkuar vazhdimësinë me të. Por në këtë mes nuk duket të jetë i lumtur Armando Sadiku, që nuk është në preferencat e Lopez. Sulmuesi i Kombëtares ka luajtur vetëm 3 takime në total me këtë trajner, nga të cilat vetëm 1 si titullar.
Këtu nuk duhen harruar edhe dëmtimet që ka pësuar Sadiku për aktivizimin e pakët, por nuk është vetëm kjo arsyeja kryesore e lënies së tij jashtë fushës së blertë. Në ditën e djeshme Levante ka marrë një tjetër fitore ndaj Leganes me rezultatin 0-3, por Sadiku është lënë jashtë listës të së grumbulluarëve, për arsye teknike, në një takim që nuk vlente shumë për klubin e Levantes dhe ku duhet të provoheshin futbollistët për projektin e ardhshëm.
Sipas të gjitha gjasave “ferrari” duhet të bëhet gati për një tjetër udhëtim në fundin e sezonit, këtë herë të largohet nga Spanja. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/