
Shumë futbollistë me origjinë shqiptare ndodhen te ekipi i parë i Lacios dhe te të rinjtë, falë punës së madhe që vjen në këtë drejtim nga ana e Igli Tares. Drejtori sportiv i kryeqytetasve ka marrë së fundmi edhe sulmuesin shqiptar që luante me të rinjtë e Levantes, Florent Shehu.
Ky është raportimi i fundit që vjen nga “Indeksionline”, ndërsa duhet theksuar se Shehu përfaqëson Zvicrën U-17, megjithëse ka pasur kontakte edhe nga Shqipëria. Kontrata e re që është firmosur ka qënë 3-vjeçare, ndërsa sulmuesi 17-vjeçar i është bashkuar listës së gjatë.
Valon Berisha, Thomas Strakosha, Riza Durmishi, Serxhio Kalaj, Marko Aliaj dhe së fundmi Anxhelo Ndrecka, janë futbollistët shqiptarë të cilët janë pjesë e Lacios dhe të japin përshtypjen e një Kombëtare të vogël të Shqipërisë, brenda skuadrës së njohur italiane. /Shqiperia.ch/