Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka premtuar se tifogrupet shqiptare të cilat gjenden në Kosovë dhe që deri tani ishin në mbështetje vetëm të Kombëtares së Shqipërisë, do të ktheheshin për dardanët. Mes tyre u përmenden emrat e “Plisave”, “Intelektualëve”, “Forcës”, por edhe “Kuqezinjëve të Jakovës”.
Këta të fundit kanë ardhur me një qëndrim të tyre, nëpërmjet kryetarit të tifogrupit. Flitet për tifogrupin e parë nga Kosova që ka ardhur në mbështetje të Shqipërisë, ndërsa edhe banderola pritëse për Greqinë në 2004: “This is not Portugal”, ishte një vepër e tyre.
Duke hedhur poshtë çdo hipotezë të Agim Ademit, që dha fjalën dhe premtimin se dardanët do të kishin mbështetjen e tifogrupeve të sipërpërmendura, theksi u vendos në idealin e dëshmorëve. Kështu “Kuqezinjtë e Jakovës” shprehen se u gëzohen suksesit të Kosovës, por se asnjë prej tyre, nuk mund të jetë më i madh se shkrirja në një Kombëtare të vetme.
“Mbrëmë në emisionin Oxygen Shoë Presidenti i FFK Agim Ademi permendi për disa grupe që do të jenë pjesë e “Dardanëve dhe tha se edhe “Kuqezinjët e Jakovës” janë pjesë. Zt. Ademi nuk ka folur as njëherë me ne dhe pse qendrimet tona janë të perjetshme për një ligë, për një komb,për një Kombëtare. Kjo nuk është “shpikja” jonë por amanet e ideal i shumë dëshmorëve. Ndër të tjera edhe është amaneti i ideatorit tonë Heroit Bujar Roka i cili ra për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.Ne asnjëherë nuk jemi kundër Kosovës dhe të sukseseve të saj por asnjë e arritur e Kosovës nuk do të jetë më e madhe se sa shkrirja në një kombëtare!” /Shqiperia.ch/