
Në formën e një skandali të madh u trajtua takimi mes Birminghamit dhe Aston Vilës, që u zhvillua një muaj më parë. Një tifoz i vendasve, i quajtur Paul Mitchell, ia doli të kalojë sigurimin dhe të godas kapitenin e Aston Vilës, Jack Grealish.
Por ende pa dalë mirë nga stadiumi me sigurinë, nisën edhe problemet e mëdha për tifozin. Nga ta nisim? Ndoshta që te dënimi me 4 muaj burg që iu dha nga Anglia, për të vazhduar me biletën e prerë në stadiume dhe në fund e jo më pak e rëndësishmja, ishte kërcënimi me vdekje që mori familja e tij, pasi u zbulua identiteti i plotë.
Jemi në Angli, në vendin ku është shpikur futbolli dhe njëkohësisht atje ku ka marrë edhe kulturën huliganizmi. Për ata tifozë, huliganizimi nuk shihet si një sjellje e pavlerë dhe që është për t’u evituar, por është një mënyrë jetese.
Rasti i tifozit Paul Mitchell e dëshmon më së miri. Tashmë i liruar nga burgu, duke ia lehtësuar disi dënimin me vetëm 1 muaj dhe pjesën e mbetur që duhet ta kalojë në shtëpinë e tij, Mitchell jo vetëm që nuk është penduar për veprimin e bërë, por fjalët e para pasi ka lënë qelinë ishin: “Tani jam jashtë, u lirova ditën e hënë. Ishte muaji më i mirë në jetën time”. /Shqiperia.ch/