
Një tjetër humbje shokuese ndaj Skocisë me rezultatin 0-4, mjafton që çështjes së Shqipërisë t’i vësh vulën: “Nuk jemi ata që ishim, trajneri dhe gjithë skuadra janë jashtë orbitës”. Por faktikisht, duhet parë mirë në këtë krahasim, kush kemi qenë?
Ekip modest, por që thjeshtë luante më me dëshirë në fushë, ia bënte më të vështirë kundërshtarit, ndërsa lojtarët njiheshin me njëri-tjetrin me sy mbyllur. Pasi u larguam nga Europiani, të gjithë ishim të ndërgjegjshëm që koha e shumë futbollistëve aktualë të Shqipërisë kishte mbaruar, pra duhej një revolucion në Kombëtare.
Erdhi Panuçi, së bashku me shumë lojtarë të rinjë dhe skema që ndryshojnë çdo ndeshje. Sigurisht, për të gjykuar punën e një trajneri nuk jemi askush dhe as të zotë për të bërë diçka të tillë. E megjithatë, një krahasim mund ta bëjmë: “Po Hollanda, sa shumë sakrifikoi për të ardhur në ditën e sotme”?
Pafundësisht shumë, duke u kthyer në objektin qesharak të gjithë Europës. Hollanda e cila është një Kombëtare e historisë së futbollit, nuk arriti ta bënte ndërrimin e brezave sa hap e mbyll sytë. Holllanda një shkollë futbolli, e cila kërkoi kohën e saj në ndërrimin e brezave. Për të mbërritur në ditën e sotme, ku fanella portokalli, është kthyer po aq e rëndë së më parë.
Atëherë, kur nuk arritën ata, si mundemi ta bëjmë ne? Mos ndoshta duhet ta marrim më qetë? Për të gjykuar nga ambientet e shtëpisë, sigurisht që është shumë e lehtë. Por ajo që nuk u falet analistëve, është se nuk e përmendin asnjëherë këtë pjesë.
Shqipëria ka nevojë për të ndërruar lojtarët, e Panuçi megjithëse në një mënyrë “të shëmtuar”, duke marrë parasysh rezultatet e marra, po e bën një gjë të tillë. E njëjta do të ishte situata, me cilindo emër që të ishte në krye të pankinës së Shqipërisë. Gjithë kohën duke u marrë me emrin e teknikut italian, por pak merremi me lojtarët që la jashtë apo skemat që gaboi trajneri. Pyetja është thjeshtë: Ku gaboi Panuçi dje? Mos ndoshta, kaq ishte fuqia e Shqipërisë për momentin?
Ndoshta na duhet të presim dhe ta marrim më qetë, nëse trazicioni i Hollandës ka kaluar përmes një kohë të gjatë, nuk mundet që ai i Shqipërisë të bëhet në fraksion sekondi. Ikën Panuçi dhe zgjidhen hallet e Shqipërisë? Sa mirë do të ishte… /Shqiperia.ch/