
Ditën e sotme, Shkëndija e Tetovës arriti të marrë një nga fitoret më të rëndësishme në këtë kampionat, teksa arriti të fitonte ngushtë në transfertë kundër Radotnickit me rezultatin e ngushtë 0 me 1. Goli i vetëm i takimit arriti që të shënohej nga Totre në minutën e 80 të takimit.
Ky triumf përkthehet në fitoren e titullit kampion, ku me trepikëshin e marrë Shkëndija ka hipotekuar edhe trofeun më të rëndësishëm të sezonit në rang klubesh në Maqedoninë e Veriut. Ky ishte një kampionat tepër i merituar nga skuadra shqiptare , që i ka lënë “targën” rivalit të tyre të përjetëshëm, Vardarit, pasi janë plot 19 pikë që i ndajnë nga njëra-tjetra.
Edhe një herë tjetër, Shkëndija e konfirmoi veten se ishte ekipi më i mirë në Maqedoninë e Veriut dhe njëkohësisht krenaria e të gjithë sportëdashësve kuqezi në të gjithë trevat. Ata arritën që të mposhtnin konkurencën e ekipit maqedonas të Vardarit, duke mos e diskutuar për asnjë moment. Ky edicion futbollistik mund të quhet perfekt mga tetovarët, pasi numërojnë plot 70 gola të shënuar dhe 24 të pësuar, në 32 ndeshje të luajtura numëron vetëm 5 humbje, shifra këto disi të frikshme, duke marrë parasysh nivelin e kampionatit maqedonas. Padyshim që nëse shohim mënyrën e zhvillimit të lojës në kampionat dhe në Europë, atëherë Shkëndija e Tetovës mund të quhet si Ajaksi shqiptar./Shqiperia.ch/