Muaji maj do të përcaktojë përfundimisht të ardhmen e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare, Arlind Ajeti. Lojtari kuqezi është aktualisht i huazuar nga Torino te Krotone, por deri në fund të muajit maj do të mësojë nëse do të zgjatë qëndrimin në këtë klub, apo do të kthehet te torinezët, ku në fakt hapësirat për të mungojnë.
Torino u mundua që ta shiste që në verën e kaluar, por nuk arriti të gjente blerës për lojtarin dhe në fund u detyrua ta huazonte te Krotone. Ky klub ka një opsion blerje përfundimtare të kartonit të mbrojtësit shqiptar, por sipas mediave italiane, nuk dihet ende nëse do ta aktivizojë këtë pikë të marrëveshjes me torinezët.
Shkak për këtë është mungesa e qëndrueshmërisë në paraqitjet e Ajetit, i cili ka alternuar ndeshje të mira me paraqitje jo-bindëse, që e kanë kthyer shpesh në objekt kritikash nga mediat dhe tifozët e skuadrës së tij. Megjithatë, me mbijetesën e mundshme në Serinë A, Krotones i nevojiten lojtarë me eksperiencë në sezonin e ardhshëm ndaj qëndrimi i Ajetit në radhët e kësaj skuadre, qoftë edhe si alternativë në stol, duket si opsioni më i mirë i mundshëm për të dy palët. /vipsport.al/