
Kombëtarja vjen gjithmonë në rradhë të parë dhe lojtarët janë grumbulluar te “Tropikali”për t’u stërvitur për ndeshjen e rradhës ndaj Islandës. Më pas kuqezinjtë do të kenë një tjetër përballje për kualifikueset e Europianit ndaj Moldavisë.
Objektivi kryesor i futbollistëve është padyshim që Shqipëria të dalë me pikë të plota në këto takime, por nëse shohim me vëmendje listën, disa prej lojtarëve luajnë edhe karrierën dhe mund të shpëtojnë sezonin.
Gjithmonë këto ndeshje ndiqen nga skautë të klubeve të ndryshme europiane dhe paraqitja pozitive e një futbollisti në dy takime, mund t’i ofroj një klub në Europë. Për këtë gjë ka më shumë nevojë aktualisht Mavraj, Veseli, Ajeti dhe Ramadani që kanë rënë nga kategoria në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Danimarkë.
Për të vazhduar më tej, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi dhe Kastriot Dërmaku janë në një kërkim të një tjetër skuadre për sezonin e ardhshëm. Pra, këta 8 futbollistë të Shqipërisë kanë një motiv më shumë për të dhënë më të mirën, që lidhet ngushtësisht me karrierën e tyre. /Shqiperia.ch/