
Nehar Sadiki mund të jetë emri më i ri që shërbej si përforcim për Shqipërinë U-21 që drejtohet nga ana e Alban Bushit. Mbrojtësi 20-vjeçar ishte pjesë e Rabotniçkit në Maqedoni, atje ku po i shkaktoheshin jo pak probleme sa i përket lidhjes me Shqipërinë.
Kjo solli që Sadiki të përfaqësonte edhe grupmoshat e Maqedonisë, ndërsa tani “Shqiperia.ch” raporton se janë të gjitha shanset që ky futbollist t’i bashkohet kuqezinjte. Arsyeja? Shumë e thjeshtë, një aventurë e re dhe më premtuese ka nisur për të.
Mbrojtësi shqiptar është transferuar në janar tek më të mirët e Sllovakisë, Slovan Bratislava. Ky ekip ndodhet në vendin e parë dhe e ka vrarë kampionatin, thuajse duke mbyllur llogaritë në këtë kampionat. Transferimi në një ekip të tillë do e ndihmojë Sadikin jo vetëm që të rritet si lojtar, por edhe të bashkohet me Shqipërinë. Sigurisht, nëse dëshira e lojtarit për të ardhur te kuqezinjtë vazhdon të mbetet e madhe, megjithëse është njoftuar që Sadiki e ka refuzuar fanellën e Shqipërisë. /Shqiperia.ch/