
Në ndeshjet e fundit të zhvilluara në “Premier League”, të gjithë tifozët anglezë kanë shpërthyer në festë, pasi përtej rezultateve pozitive, kanë zbuluar një lojtar të ri në klubin e tyre, Xherdan Shaqirin.
Ky i fundit ka qenë më i miri në këtë skuadër, duke shënuar dhe dhënë disa pasime vendimtare, megjithëse ka pasur pak hapësira në fushën e lojës. Praktikisht Liverpuli ka gjetur lojtarin e fundit të madh që i duhej, pasi në sulm tremb jo pak me lojtarët që ka në organikë.
Por kur të gjithë po thurnin iluzionet e tyre për këtë lojtar dhe të ardhmen e Liverpulit, vendimi i Klop për të lënë jashtë Shaqirin në Beograd i trazoi jo pak ujërat. Sigurisht, flitej për një çështje të ndezur politike dhe jo për mungesë aftësisht, por në Angli nuk e konceptojnë dot lehtësisht një gjë të tillë.
Ndërsa në ditën e sotme, është përfolur se Galatasarai ka trokitur në derën e klubit të njohur anglez, për të kërkuar Shaqirin në huazim gjatë janarit. Kaq mjafton që tifozët e Liverpulit të frikësohen jo pak për të ardhmen e mesfushorit shqiptar, ndërsa me të po projektohej edhe rikthimi i një Liverpuli të kohëve më të arta. /Shqiperia.ch/